STATUTI I SHOQATËS SË PSIKOTERAPEUTËVE TË KOSOVËS
KREU I
Ky statut do të qeverisë shoqatën jofitimprurëse Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës (KAP), të themeluar në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës.
Neni 1
Emri, Simboli dhe Vula
- Emri i Shoqatës është:
“SHOQATA E PSIKOTERAPEUTËVE TË KOSOVËS (SHKP)
“KOSOVA ASSOCIATION FOR PSYCHOTHERAPY” (KAP)
- Simboli i Shoqatës është harta e Kosovës në qendër të logos, e rrethuar me një hark rrethor jo të mbyllur në të cilën shkruan emri i shoqatës në gjuhën angleze dhe shqipe, dhe shkurtesa në qendër të hartës në gjuhën angleze (KAP).
- Vula e shoqatës është e përbërë nga një rreth bashkëqendrorë ku në mes të rrethit më të vogël është shkruar me shkronja të mëdha shtypi “kap” dhe në hapësirën ndërmjet shkurtesës dhe rrethit shkruan “Shoqata e Psikoterapeutëve të Kosovës dhe “Kosova Association for Psychotherapy”.
Neni 2
Selia
KAP ka selinë e saj në Prishtinë në adresën: “Rruga Idriz Gjilani”, Mbi Plato, Nr 48, Prishtinë 10000, Republika e Kosovës.
Neni 3
Kohëzgjatja
Kohëzgjatja e aktivitetit të KAP është e pakufizuar.
Neni 4
Qëllimi dhe Objektivat
KAP është një organizatë jo fitimprurëse, e cila ka për qëllim:
- Zhvillimin e shkencës dhe profesionit të Psikoterapisë në Kosovë.
- Sigurimin e standardeve të larta të etikës, të kualifikimit dhe të ushtrimit të psikoterapisë.
- Të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve mes profesionistëve dhe organizatave që veprojnë në fushën e Shëndetit Mendor, arsimit, përkrahjes sociale, burimeve njerëzore, etj., duke inkurajuar krijimin e kontakteve me shërbimet përkatëse dhe duke mbështetur kualifikimet dhe kërkimet në disiplinën e psikoterapisë.
- Të sigurojë standardet e trajnimit dhe praktikës së psikoterapisë nëpërmjet Certifikatës Kosovare për Psikoterapinë.
Neni 5
Burimet financiare
- KAP ka burimet financiare të mëposhtme për zhvillimin e veprimtarive të saj:
- Kuotat e anëtarësisë.
- Fonde, grante dhe donacione të ofruara nga personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, dhe që nuk kushtëzohen nga qëllime politike e synime të tjera që bien në kundërshtim me objektin, qëllimet dhe synimet e KAP-it të pasqyruara në statut dhe në dokumentet e themelimit të saj.
- Të ardhurat nga veprimtaritë shkencore dhe botuese.
- Të ardhura nga shërbimet e vëna në dispozicion nga KAP.
- Burime të tjera të ligjshme
- I gjithë buxheti depozitohet në një llogari të rrjedhshme bankare.
- Ndalohet kategorikisht shpërndarja e fitimeve ose përfitimeve financiare dhe materiale si dhe të ardhurave e fitimeve të shoqatës midis anëtarëve të shoqatës apo anëtarëve të organeve drejtuese të saj përveç detyrimeve në formën e pagave, pagesave, shpërblimeve e kompensimeve që rrjedhin nga kontratat ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të shoqatës.
- Shoqata bën shpenzime vetëm për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj. Buxheti përdoret për aktivitete të shoqatës që miratohen nga Bordi Drejtues. Aprovimi për çdo veprim financiar në kuadrin e projekteve që ndërmerren nga anëtarët e shoqatës, merret nga Bordi Drejtues.
- Dokumentacioni përkatës që kanë të bëjnë me financat, firmoset nga Kryetari ose Sekretari dhe Arkëtari i Shoqatës.
Neni 6
Anëtarësimi në KAP
- Anëtarë të KAP-it mund të jenë personat fizikë, arsimimi i të cilëve i përket shkencave humane (psikoterapeutike, mjekësore, psikologjike, sociale, pedagogjike dhe ekuivalente) si edhe personat juridikë, veprimtaria e të cilëve shtrihet në fushat e lartpërmendura.
- KAP ka tre lloje të anëtarësisë:
- Anëtarë me të drejta të plota:
a.1 Profesionistë që kanë përfunduar kualifikimin e plotë në një nga shkollat psikoterapeutike dhe që janë mbajtës të Certifikatës Kosovare për Psikoterapi (CKP) apo Certifikatës Europiane të Psikoterapisë (ECP);
a.2 Profesionistë që kanë të paktën një diplomë master në një nga disiplinat e mësipërme, por që kanë përfunduar të paktën 50% të kualifikimit në psikoterapi dhe janë në proces edukimi në psikoterapi.
- Anëtarë me të drejta të pjesshme:
b.1 Individë që kanë të paktën një diplomë master në një nga disiplinat e mësipërme nga një institucion akademk i akredituar në Kosovë dhe Shqipëri, dhe që kanë eksperiencë të pjesshme klinike/psikoterapeutike, por nuk disponojnë CKP-në ose ECP-në;
b.2 Profesionistë të kualifikuar të shëndetit mendor që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë eksperiencë klinike dhe psikoterapeutike;
b.3 Studentë të nivelit universitar ose master në një nga disiplinat e mësipërme që kanë interes në disiplinën e psikoterapisë.
-
- Anëtarë organizativë:
c.1 Organizata që punojnë në fushën e psikoterapisë dhe që pranojnë „Deklaratën e Strasburgut mbi Psikoterapinë‟ të vitit 1990.
- Anëtarët e KAP-it përkrahin dhe punojnë për çështje të cilat përputhen me qëllimet dhe objektivat e KAP-it. Pranimi në Shoqatë bëhet me kërkesën me shkrim të vetë personit. Emri i tij/saj regjistrohet në Librin e Anëtarëve të Shoqatës.
- Të gjitha aplikimet për anëtarësim shqyrtohen nga Komisioni i Anëtarësimit.
- Anëtarët e niveleve të ndryshme janë të detyruar të paguajnë nivele të ndryshme kuotash vjetore të anëtarësimit, vlerat e të cilave përcaktohen nga Mbledhja e Përgjithshme.
- E drejta e votës :
-
-
- Anëtarët me të drejta të plota individuale kanë të drejtë të një vote në Mbledhjen e Përgjithshme të Kuvendit.
-
-
-
- Anëtarët organizativë kanë të drejtën e një vote në Mbledhjen e Përgjithshme për çdo 10 anëtarë të tyre por jo më shume se 3 vota.
-
-
-
- Anëtarët me të drejta të pjesshme mund të marrin pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme si vëzhgues.
-
-
-
- Anëtarët me të drejta të pjesshme përfitojnë lehtësira për pjesëmarrje në aktivitetet e organizuara nga KAP.
-
- Çdo anëtar pajiset me kartë anëtarësie në KAP.
Neni 7
Përfundimi i anëtarësisë
- Një anëtar mund të përjashtohet nga KAP për qëndrim dhe sjellje të dëmshme ndaj objektivave dhe qëllimeve të KAP-it ose kur ai/ajo nuk i përmbahet statutit apo rregullave të KAP-it.
- Përjashtimi i një anëtari vendoset nga Bordi Drejtues me rekomandim të Komitetit Etik, rekomandim në të cilin paraqiten arsyet ku bazohet propozimi.
- Një anëtar konsiderohet se është i rregullt në qoftë se ka paguar plotësisht brenda afateve të gjitha kuotat e kontributet e anëtarësisë.
- Një anëtar mund të japë dorëheqjen nga KAP në çdo kohë nëpërmjet dorëzimit të dorëheqjes së tij me shkrim në selinë e KAP-it.
- Përgjegjësia e anëtarit që largohet është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë të KAP-it për veprimtarinë e kryer deri në çastin e largimit. Anëtari që largohet duhet të shlyejë paraprakisht të gjitha detyrimet që ka ndaj KAP-it. Çdo mosmarrëveshje në këtë drejtim, nëse nuk zgjidhet me mirëkuptim, zgjidhet në gjykatë.
KREU II
ORGANET E KAP-it
Neni 8
Organet e KAP-it janë:
- Kuvendi i Përgjithshëm
- Bordi Drejtues
- Komisioni i Anëtarësimit
- Komiteti Etik
- Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit
Neni 9
Kuvendi i Përgjithshëm
- Në Mbledhjen e Përgjithshme të Kuvendit kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë anëtarët e KAP-it.
- Mbledhja e Përgjithshme:
- miraton statutin e KAP-it dhe aktet e saj, si dhe ndryshimet e tyre;
- miraton fushat dhe programet e veprimtarisë së KAP-it;
- zgjedh Bordin Drejtues të KAP-it me votim të fshehtë;
ç) mbikqyr aktivitetet e KAP-it, shqyrton çështjet ekonomike të saj, dokumentet e saj financiare, si dhe pasuritë dhe pronat e saj;
- miraton aktet më të rëndësishme në lidhje me buxhetin e KAP-it dhe shpenzimet për vitin e ardhshëm.
- nxjerr norma për rregullimin e veprimtarisë, organizimit dhe strukturës së KAP-it;
- vendos mbi shpërndarjen ose mbylljen e KAP-it;
- zgjedh Kryetarin e KAP-it, Sekretarin, Nënkryetarin, Arkëtarin dhe anëtarët e Komisionit të Anëtarësimit, Komitetit Etik dhe Komitetit të Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit me shumicë absolute votash.
- vendos për çdo çështje tjetër që nuk është lënë në kompetencë të ndonjë organi tjetër të KAP-it;
Neni 10
Mbledhja e Përgjithshme e Kuvendit dhe Vendimmarrja
- Mbledhja e Përgjithshme e Kuvendit thirret nga Bordi Drejtues, Kryetari i KAP-it ose me kërkesën e të paktën 1/5 së anëtarëve të KAP-it.
- Mbledhja e Përgjithshme thirret rregullisht të paktën një herë në vit.
- Mbledhja e Përgjithshme zhvillohet kur në të marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e anëtarëve. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që janë të pranishëm në Mbledhjen e Përgjithshme.
Neni 11
Bordi Drejtues
- KAP drejtohet dhe administrohet nga Bordi Drejtues (Bord). Bordi përbëhet nga 7 anëtarë dhe nga një përfaqësues i deleguar nga organizatat anëtare në KAP. Bordi ka funksion ekzekutiv.
- Bordi Drejtues përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari, Sekretari, Arkëtari dhe drejtuesit e Komisionit të Anëtarësimit, Komitetit të Etikës dhe Komitetit të Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit dhe nga përfaqësuesit e organizatave anëtare.
- Anëtarë të Bordit Drejtues zgjidhen ata individë, të cilët janë anëtarë të KAP-it prej të paktën 4 vitesh, apo janë të regjistruar në Regjistrin Europian të Psikoterapistëve ose ata që janë të deleguar nga organizatat anëtare të KAP-it.
- Anëtarët e Bordit Drejtues zgjidhen për një afat prej 4 vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.
- Bordi Drejtues rekomandon për Kuvendin e Përgjithshëm që me votim të fshehtë të zgjedh dhe shkarkon Kryetarin, Nënkryetarin, Sekretarin dhe Arkëtarin.
- Një person nuk mund të mbajë më shumë se një post.
- Një anëtar i Bordit mund të japë dorëheqjen nga Bordi Drejtues në çdo kohë duke dorëzuar dorëheqjen e tij/të saj me shkrim Bordit të KAP-it.
Neni 12
Funksionet e Bordit Drejtues
Bordi Drejtues drejton të gjithë veprimtarinë e KAP-it në periudhën midis katër Mbledhjeve të Përgjithshme që rinovojnë Bordin në përputhje me statutin dhe orientimet e Kuvendit të Përgjithshëm.
- Bordi përgatit buxhetin e KAP-it dhe ndryshimet në të.
- Bordi aprovon statutin fillestar.
- Bordi aprovon strukturën dhe personelin e KAP-it dhe përcakton pagat dhe shpërblimet në bazë shërbimesh e të gjithë të punësuarve të KAP-it.
- Bordi harton programin e aktiviteteve të KAP-it.
- Bordi miraton deklaratat e KAP-it.
- Bordi cakton mënyrat dhe përfaqësuesit e KAP-it për aktivitete të ndryshme që organizohen brenda dhe jashtë vendit.
- Bordi koordinon marrëdhëniet me organizma dhe organizata të tjera.
- Bordi bën pranimin dhe përjashtimin e anëtarëve të rinj.
- Këto si dhe ndryshimet e statutit të propozuara nga Bordi janë subjekt diskutimi, miratimi apo mosmiratimi nga Kuvendi i Përgjithshëm.
- Nëse nevojitet, Bordi Drejtues mund të hartojë një rregullore të brendshme për rregullimin e hollësishëm të funksionimit të KAP-it, me kusht që të mos bjerë ndesh me asnjë nga pikat e statutit të miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm.
Neni 13
Rregullat e Funksionimit të Bordit Drejtues
- Bordi mblidhet rregullisht të paktën një herë në çdo gjashtë muaj. Mbledhjet e Bordit thirret nga Kryetari, ose nga ½ e anëtarëve të Bordit.
- Sekretari dërgon nëpërmjet e-mailit rendin e propozuar të çdo mbledhje tek anëtarët e Bordit të paktën dy javë përpara mbledhjes ose, në qoftë se është një mbledhje e jashtëzakonshme, sa më shpejt që të jetë e mundur përpara mbledhjes. Çdo çështje e paparashikuar në rendin e ditës të një mbledhje të jashtëzakonshme e të dërguar nga Sekretari mund të shqyrtohet, vetëm në rast së gjithë anëtarët e Bordit japin pëlqimin e tyre.
- Mbledhja e Bordit është e vlefshme në qoftë se janë të pranishëm jo më pak se 1/2 e anëtarëve të tij.
- Bordi i merr vendimet me shumicë votash të anëtarëve të tij, të cilët janë personalisht të pranishëm.
- Procesverbali mbahet në çdo mbledhje të Këshillit dhe ruhet në selinë e KAP-it.
- Çdo vendim i Bordit, i cili bie në kundërshtim me dispozitat e këtij statuti, është i pavlefshëm.
Neni 14
Kryetari dhe Nënkryetari i Bordit Drejtues
- Kryetari i Bordit është në të njëjtën kohë dhe Kryetari i KAP-it.
- Kryetari dhe në mungesë të tij Nënkryetari si dhe Sekretari janë përfaqësuesit zyrtarë të KAP-it.
- Kryetari i Bordit kryeson mbledhjet e Bordit dhe Mbledhjet Kuvendit të Përgjithshëm.
- Kryetari bashkëpunon me Sekretarin në çdo çështje dhe nënshkruan të gjithë korrespondencën e përgjithshme.
Neni 15
Arkëtari
- Arkëtari i KAP-it mbikqyr të gjitha shpenzimet, ashtu si dhe menaxhimin e parave dhe pasurive të KAP-it dhe është përgjegjës që raportet financiare të mbahen në rregull dhe në përputhje me kërkesat e aplikueshme ligjore.
- Arkëtari shqyrton dhe mban llogaritë, faturat dhe çdo shpenzim të aprovuar nga Këshilli.
- Arkëtari i raporton rregullisht Bordit Drejtues.
Neni 16
Sekretari
- Sekretari i KAP-it mban një raport tërësor të procedurave të Kuvendit të Përgjithshëm, mbledhjeve të Bordit Drejtues dhe të aktiviteteve të ndryshme të KAP-it.
- Sekretari mban vulën dhe regjistrin e KAP-it.
- Sekretari shpërndan axhendën (planin e punës) së Kuvendit të Përgjithshëm dhe të mbledhjeve të Bordit Drejtues.
- Sekretari është përgjegjës për të gjithë dokumentacionin e KAP-it me përjashtim të dokumenteve financiare.
- Sekretari është përgjegjës për korrespondencën e KAP-it.
- Së bashku me Kryetarin, Sekretari përfshihet në koordinimin e programeve të KAP-it.
Neni 17
Komisioni i Anëtarësimit
Komisioni i Anëtarësimit:
- Shqyrton aplikimet për anëtarësim si dhe i propozon Bordit Drejtues këto aplikime.
- Shqyrton dorëheqjet e anëtarëve të KAP-it dhe i paraqet ato pranë Bordit Drejtues.
- Komisioni përbëhet nga 3 anëtarë.
- Anëtarë të këtij komisioni mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues, por drejtuesi i këtij komisioni nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordin Drejtues.
- Anëtarët e këtij komisioni, që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim, zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh.
- Komisioni mblidhet sipas nevojës.
Neni 18
Komiteti Etik
Komiteti Etik:
- Siguron që anëtarët e KAP-it i përmbahen standardeve etike sipas kodit etik të KAP-it /EAP-së të pranuar nga të gjithë anëtarët si pjesë e procedurës së anëtarësimit.
- Shqyrton të gjitha ankesat mbi shkeljet e mundshme të etikës nga anëtarët e KAP-it.
- Komiteti përbëhet nga 3 anëtarë.
- Anëtarë të këtij komiteti mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues, por drejtuesi i këtij komiteti nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordin Drejtues.
- Anëtarët e këtij komiteti që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh
- Komiteti mblidhet sipas nevojës.
Neni 19
Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit
Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit:
- Shqyrton standardet profesionale psikoterapeutike dhe kriteret e trajnimeve në fushën e psikoterapisë të ndërmarra nga KAP apo anëtarët organizativë të KAP-it.
- Shqyrton dhe i propozon Bordit Drejtues aplikimet për pajisjen me CKP të profesionistëve të ndryshëm.
- Komiteti përbëhet nga 3 anëtarë.
- Anëtarë të këtij komiteti mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues por drejtuesi i këtij komiteti nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordit Drejtues.
- Anëtarët e këtij komiteti që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim, zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh.
- Komiteti mblidhet sipas nevojës.
Neni 20
Konflikti i interesave
Çdo anëtar i organit më të lartë vendimmarrës ose ekzekutiv duhet të tërhiqet nga shqyrtimi dhe marrja e vendimit për çdo çështje për të cilën ai ose familjarët e tij kanë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta ekonomike ose vetjake.
Neni 21
Ndërprerja e veprimtarisë
Shoqata e ndërpret veprimtarinë e saj kur:
- Numri i anëtarëve zbret më poshtë se ai i grupit nismëtar të saj;
- Vendoset nga Kuvendi i Përgjithshëm i KAP-it.
Dispozitat Përfundimtare
Neni 22
Likuidimi
Në rast të shpërndarjes ose mbylljes së aktivitetit të KAP-it për njërin nga shkaqet e parashikuara me ligj apo në statut, pasuria e mbetur e KAP-it shkon për qëllime bamirësie në favor të përmbushjes së qëllimeve të KAP-it të shprehura në këtë Statut. Në rast se shpërndarja do të vendoset nga vetë KAP-i, likuidimi do të realizohet nga likuidatori, i cili do të caktohet me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm i KAP-it.