STATUTI I SHOQATËS SË PSIKOTERAPEUTËVE TË KOSOVËS

 

KREU I

 

Ky statut do të qeverisë shoqatën jofitimprurëse Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës (KAP), të themeluar në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-57 për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës.

 

Neni 1

Emri, Simboli dhe Vula

 

  1. Emri i Shoqatës është:

 

SHOQATA E PSIKOTERAPEUTËVE TË KOSOVËS (SHKP)

“KOSOVA ASSOCIATION FOR PSYCHOTHERAPY” (KAP)

 

  1. Simboli i Shoqatës është harta e Kosovës në qendër të logos, e rrethuar me një hark rrethor jo të mbyllur në të cilën shkruan emri i shoqatës në gjuhën angleze dhe shqipe, dhe shkurtesa në qendër të hartës në gjuhën angleze (KAP).

 

  1. Vula e shoqatës është e përbërë nga një rreth bashkëqendrorë ku në mes të rrethit më të vogël është shkruar me shkronja të mëdha shtypi “kap” dhe në hapësirën ndërmjet shkurtesës dhe rrethit shkruan “Shoqata e Psikoterapeutëve të Kosovës dhe “Kosova Association for Psychotherapy”.

 

Neni 2

Selia

 

KAP ka selinë e saj në Prishtinë në adresën: “Rruga Idriz Gjilani”, Mbi Plato, Nr 48, Prishtinë 10000, Republika e Kosovës.

 

Neni 3

Kohëzgjatja

 

Kohëzgjatja e aktivitetit të KAP është e pakufizuar.

 

Neni 4

 

Qëllimi dhe Objektivat

 

KAP është një organizatë jo fitimprurëse, e cila ka për qëllim:

 

  1. Zhvillimin e shkencës dhe profesionit të Psikoterapisë në Kosovë.
  2. Sigurimin e standardeve të larta të etikës, të kualifikimit dhe të ushtrimit të psikoterapisë.

 

  1. Të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve mes profesionistëve dhe organizatave që veprojnë në fushën e Shëndetit Mendor, arsimit, përkrahjes sociale, burimeve njerëzore, etj., duke inkurajuar krijimin e kontakteve me shërbimet përkatëse dhe duke mbështetur kualifikimet dhe kërkimet në disiplinën e psikoterapisë.

 

  1. Të sigurojë standardet e trajnimit dhe praktikës së psikoterapisë nëpërmjet Certifikatës Kosovare për Psikoterapinë.

 

Neni 5

Burimet financiare

 

  1. KAP ka burimet financiare të mëposhtme për zhvillimin e veprimtarive të saj:

 

  1. Kuotat e anëtarësisë.

 

  1. Fonde, grante dhe donacione të ofruara nga personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, dhe që nuk kushtëzohen nga qëllime politike e synime të tjera që bien në kundërshtim me objektin, qëllimet dhe synimet e KAP-it të pasqyruara në statut dhe në dokumentet e themelimit të saj.

 

  1. Të ardhurat nga veprimtaritë shkencore dhe botuese.
  2. Të ardhura nga shërbimet e vëna në dispozicion nga KAP.
  3. Burime të tjera të ligjshme

 

  1. I gjithë buxheti depozitohet në një llogari të rrjedhshme bankare.

 

  1. Ndalohet kategorikisht shpërndarja e fitimeve ose përfitimeve financiare dhe materiale si dhe të ardhurave e fitimeve të shoqatës midis anëtarëve të shoqatës apo anëtarëve të organeve drejtuese të saj përveç detyrimeve në formën e pagave, pagesave, shpërblimeve e kompensimeve që rrjedhin nga kontratat ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të shoqatës.

 

  1. Shoqata bën shpenzime vetëm për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj. Buxheti përdoret për aktivitete të shoqatës që miratohen nga Bordi Drejtues. Aprovimi për çdo veprim financiar në kuadrin e projekteve që ndërmerren nga anëtarët e shoqatës, merret nga Bordi Drejtues.

 

  1. Dokumentacioni përkatës që kanë të bëjnë me financat, firmoset nga Kryetari ose Sekretari dhe Arkëtari i Shoqatës.

 

Neni 6

Anëtarësimi në KAP

 

  1. Anëtarë të KAP-it mund të jenë personat fizikë, arsimimi i të cilëve i përket shkencave humane (psikoterapeutike, mjekësore, psikologjike, sociale, pedagogjike dhe ekuivalente) si edhe personat juridikë, veprimtaria e të cilëve shtrihet në fushat e lartpërmendura. 

 

  1. KAP ka tre lloje të anëtarësisë:

 

  1. Anëtarë me të drejta të plota:

 

a.1 Profesionistë që kanë përfunduar kualifikimin e plotë në një nga shkollat psikoterapeutike dhe që janë mbajtës të Certifikatës Kosovare për Psikoterapi (CKP) apo Certifikatës Europiane të Psikoterapisë (ECP);

 

a.2 Profesionistë që kanë të paktën një diplomë master në një nga disiplinat e mësipërme, por që kanë përfunduar të paktën 50% të kualifikimit në psikoterapi dhe janë në proces edukimi në psikoterapi.

 

  1. Anëtarë me të drejta të pjesshme:

 

b.1 Individë që kanë të paktën një diplomë master në një nga disiplinat e mësipërme nga një institucion akademk i akredituar në Kosovë dhe Shqipëri, dhe që kanë eksperiencë të pjesshme klinike/psikoterapeutike, por nuk disponojnë CKP-në ose ECP-në;

 

b.2 Profesionistë të kualifikuar të shëndetit mendor që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë eksperiencë klinike dhe psikoterapeutike; 

 

b.3 Studentë të nivelit universitar ose master në një nga disiplinat e mësipërme që kanë interes në disiplinën e psikoterapisë.

 

    1. Anëtarë organizativë:

 

c.1 Organizata që punojnë në fushën e psikoterapisë dhe që pranojnë „Deklaratën e Strasburgut mbi Psikoterapinë‟ të vitit 1990.

 

  1. Anëtarët e  KAP-it përkrahin dhe punojnë për çështje të cilat përputhen me qëllimet dhe objektivat e KAP-it. Pranimi në Shoqatë bëhet me kërkesën me shkrim të vetë personit. Emri i tij/saj regjistrohet në Librin e Anëtarëve të Shoqatës.

 

  1. Të gjitha aplikimet për anëtarësim shqyrtohen nga Komisioni i Anëtarësimit.

 

  1. Anëtarët e niveleve të ndryshme janë të detyruar të paguajnë nivele të ndryshme kuotash vjetore të anëtarësimit, vlerat e të cilave përcaktohen nga Mbledhja e Përgjithshme.

 

  1. E drejta e votës :

 

      1. Anëtarët me të drejta të plota individuale kanë të drejtë të një vote në Mbledhjen e Përgjithshme të Kuvendit.

 

      1. Anëtarët organizativë kanë të drejtën e një vote në Mbledhjen e Përgjithshme për çdo 10 anëtarë të tyre por jo më shume se 3 vota.

 

      1. Anëtarët me të drejta të pjesshme mund të marrin pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme si vëzhgues.

 

      1. Anëtarët me të drejta të pjesshme përfitojnë lehtësira për pjesëmarrje në aktivitetet e organizuara nga KAP.

 

  1. Çdo anëtar pajiset me kartë anëtarësie në KAP.

 

Neni 7

Përfundimi i anëtarësisë

 

  1. Një anëtar mund të përjashtohet nga KAP për qëndrim dhe sjellje të dëmshme ndaj objektivave dhe qëllimeve të KAP-it ose kur ai/ajo nuk i përmbahet statutit apo rregullave të KAP-it.

 

  1. Përjashtimi i një anëtari vendoset nga Bordi Drejtues me rekomandim të Komitetit Etik, rekomandim në të cilin paraqiten arsyet ku bazohet propozimi.

 

  1. Një anëtar konsiderohet se është i rregullt në qoftë se ka paguar plotësisht brenda afateve të gjitha kuotat e kontributet e anëtarësisë.

 

  1. Një anëtar mund të japë dorëheqjen nga KAP në çdo kohë nëpërmjet dorëzimit të dorëheqjes së tij me shkrim në selinë e KAP-it.

 

  1. Përgjegjësia e anëtarit që largohet është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë të KAP-it për veprimtarinë e kryer deri në çastin e largimit. Anëtari që largohet duhet të shlyejë paraprakisht të gjitha detyrimet që ka ndaj KAP-it. Çdo mosmarrëveshje në këtë drejtim, nëse nuk zgjidhet me mirëkuptim, zgjidhet në gjykatë.

 

KREU II

ORGANET E KAP-it

 

Neni 8

Organet e KAP-it janë:

 

  1. Kuvendi i Përgjithshëm
  2. Bordi Drejtues
  1. Komisioni i Anëtarësimit
  2. Komiteti Etik
  3. Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit

 

Neni 9

Kuvendi i Përgjithshëm

 

  1. Në Mbledhjen e Përgjithshme të Kuvendit kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë anëtarët e KAP-it.
  2. Mbledhja e Përgjithshme:
  1. miraton statutin e KAP-it dhe aktet e saj, si dhe ndryshimet e tyre;
  2. miraton fushat dhe programet e veprimtarisë së KAP-it;
  3. zgjedh Bordin Drejtues të KAP-it me votim të fshehtë;

 

ç) mbikqyr aktivitetet e KAP-it, shqyrton çështjet ekonomike të saj, dokumentet e saj financiare, si dhe pasuritë dhe pronat e saj; 

 

  1. miraton aktet më të rëndësishme në lidhje me buxhetin e KAP-it dhe shpenzimet për vitin e ardhshëm.

 

  1. nxjerr norma për rregullimin e veprimtarisë, organizimit dhe strukturës së KAP-it;
  2. vendos mbi shpërndarjen ose mbylljen e KAP-it;

 

  1. zgjedh Kryetarin e KAP-it, Sekretarin, Nënkryetarin, Arkëtarin dhe anëtarët e Komisionit të Anëtarësimit, Komitetit Etik dhe Komitetit të Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit me shumicë absolute votash.
  2. vendos për çdo çështje tjetër që nuk është lënë në kompetencë të ndonjë organi tjetër të KAP-it;

 

Neni 10

Mbledhja e Përgjithshme e Kuvendit dhe Vendimmarrja

 

  1. Mbledhja e Përgjithshme e Kuvendit thirret nga Bordi Drejtues, Kryetari i KAP-it ose me kërkesën e të paktën 1/5 së anëtarëve të KAP-it.

 

  1. Mbledhja e Përgjithshme thirret rregullisht të paktën një herë në vit.

 

  1. Mbledhja e Përgjithshme zhvillohet kur në të marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e anëtarëve. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që janë të pranishëm në Mbledhjen e Përgjithshme.

 

Neni 11

Bordi Drejtues

 

  1. KAP drejtohet dhe administrohet nga Bordi Drejtues (Bord). Bordi përbëhet nga 7 anëtarë dhe nga një përfaqësues i deleguar nga organizatat anëtare në KAP. Bordi ka funksion ekzekutiv.

 

  1. Bordi Drejtues përbëhet nga Kryetari, Nënkryetari, Sekretari, Arkëtari dhe drejtuesit e Komisionit të Anëtarësimit, Komitetit të Etikës dhe Komitetit të Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit dhe nga përfaqësuesit e organizatave anëtare.

 

  1. Anëtarë të Bordit Drejtues zgjidhen ata individë, të cilët janë anëtarë të KAP-it prej të paktën 4 vitesh, apo janë të regjistruar në Regjistrin Europian të Psikoterapistëve ose ata që janë të deleguar nga organizatat anëtare të KAP-it.

 

  1. Anëtarët e Bordit Drejtues zgjidhen për një afat prej 4 vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.

 

  1. Bordi Drejtues rekomandon për Kuvendin e Përgjithshëm që me votim të fshehtë të zgjedh dhe shkarkon Kryetarin, Nënkryetarin, Sekretarin dhe Arkëtarin.
  1. Një person nuk mund të mbajë më shumë se një post.

 

  1. Një anëtar i Bordit mund të japë dorëheqjen nga Bordi Drejtues në çdo kohë duke dorëzuar dorëheqjen e tij/të saj me shkrim Bordit të KAP-it.

 

Neni 12

Funksionet e Bordit Drejtues

 

Bordi Drejtues drejton të gjithë veprimtarinë e KAP-it në periudhën midis katër Mbledhjeve të Përgjithshme që rinovojnë Bordin në përputhje me statutin dhe orientimet e Kuvendit të Përgjithshëm.

 

  1. Bordi përgatit buxhetin e KAP-it dhe ndryshimet në të.
  2. Bordi aprovon statutin fillestar.

 

  1. Bordi aprovon strukturën dhe personelin e KAP-it dhe përcakton pagat dhe shpërblimet në bazë shërbimesh e të gjithë të punësuarve të KAP-it.

 

  1. Bordi harton programin e aktiviteteve të KAP-it.
  2. Bordi miraton deklaratat e KAP-it.

 

  1. Bordi cakton mënyrat dhe përfaqësuesit e KAP-it për aktivitete të ndryshme që organizohen brenda dhe jashtë vendit.

 

  1. Bordi koordinon marrëdhëniet me organizma dhe organizata të tjera.
  2. Bordi bën pranimin dhe përjashtimin e anëtarëve të rinj.

 

  1. Këto si dhe ndryshimet e statutit të propozuara nga Bordi janë subjekt diskutimi, miratimi apo mosmiratimi nga Kuvendi i Përgjithshëm.

 

  1. Nëse nevojitet, Bordi Drejtues mund të hartojë një rregullore të brendshme për rregullimin e hollësishëm të funksionimit të KAP-it, me kusht që të mos bjerë ndesh me asnjë nga pikat e statutit të miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm.

 

Neni 13

Rregullat e Funksionimit të Bordit Drejtues

 

  1. Bordi mblidhet rregullisht të paktën një herë në çdo gjashtë muaj. Mbledhjet e Bordit thirret nga Kryetari, ose nga ½ e anëtarëve të Bordit.

 

  1. Sekretari dërgon nëpërmjet e-mailit rendin e propozuar të çdo mbledhje tek anëtarët e Bordit të paktën dy javë përpara mbledhjes ose, në qoftë se është një mbledhje e jashtëzakonshme, sa më shpejt që të jetë e mundur përpara mbledhjes. Çdo çështje e paparashikuar në rendin e ditës të një mbledhje të jashtëzakonshme e të dërguar nga Sekretari mund të shqyrtohet, vetëm në rast së gjithë anëtarët e Bordit japin pëlqimin e tyre.

 

  1. Mbledhja e Bordit është e vlefshme në qoftë se janë të pranishëm jo më pak se 1/2 e anëtarëve të tij.

 

  1. Bordi i merr vendimet me shumicë votash të anëtarëve të tij, të cilët janë personalisht të pranishëm.

 

  1. Procesverbali mbahet në çdo mbledhje të Këshillit dhe ruhet në selinë e KAP-it.

 

  1. Çdo vendim i Bordit, i cili bie në kundërshtim me dispozitat e këtij statuti, është i pavlefshëm.

 

Neni 14

Kryetari dhe Nënkryetari i Bordit Drejtues

  1. Kryetari i Bordit është në të njëjtën kohë dhe Kryetari i KAP-it.

 

  1. Kryetari dhe në mungesë të tij Nënkryetari si dhe Sekretari janë përfaqësuesit zyrtarë të KAP-it.

 

  1. Kryetari i Bordit kryeson mbledhjet e Bordit dhe Mbledhjet Kuvendit të Përgjithshëm.

 

  1. Kryetari bashkëpunon me Sekretarin në çdo çështje dhe nënshkruan të gjithë korrespondencën e përgjithshme.

 

Neni 15

Arkëtari

 

  1. Arkëtari i KAP-it mbikqyr të gjitha shpenzimet, ashtu si dhe menaxhimin e parave dhe pasurive të KAP-it dhe është përgjegjës që raportet financiare të mbahen në rregull dhe në përputhje me kërkesat e aplikueshme ligjore.

 

  1. Arkëtari shqyrton dhe mban llogaritë, faturat dhe çdo shpenzim të aprovuar nga Këshilli.
  2. Arkëtari i raporton rregullisht Bordit Drejtues.

 

Neni 16

Sekretari

 

  1. Sekretari i KAP-it mban një raport tërësor të procedurave të Kuvendit të Përgjithshëm, mbledhjeve të Bordit Drejtues dhe të aktiviteteve të ndryshme të KAP-it.

 

  1. Sekretari mban vulën dhe regjistrin e KAP-it.

 

  1. Sekretari shpërndan axhendën (planin e punës) së Kuvendit të Përgjithshëm dhe të mbledhjeve të Bordit Drejtues.

 

  1. Sekretari është përgjegjës për të gjithë dokumentacionin e KAP-it me përjashtim të dokumenteve financiare.

 

  1. Sekretari është përgjegjës për korrespondencën e KAP-it.
  2. Së bashku me Kryetarin, Sekretari përfshihet në koordinimin e programeve të KAP-it.

 

Neni 17

Komisioni i Anëtarësimit

 

Komisioni i Anëtarësimit:

 

  1. Shqyrton aplikimet për anëtarësim si dhe i propozon Bordit Drejtues këto aplikime.
  1. Shqyrton dorëheqjet e anëtarëve të  KAP-it dhe i paraqet ato pranë Bordit Drejtues.
  2. Komisioni përbëhet nga 3 anëtarë.

 

  1. Anëtarë të këtij komisioni mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues, por drejtuesi i këtij komisioni nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordin Drejtues.

 

  1. Anëtarët e këtij komisioni, që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim, zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh.

 

  1. Komisioni mblidhet sipas nevojës.

 

Neni 18

Komiteti Etik

Komiteti Etik:

 

  1. Siguron që anëtarët e KAP-it i përmbahen standardeve etike sipas kodit etik të KAP-it /EAP-së të pranuar nga të gjithë anëtarët si pjesë e procedurës së anëtarësimit.

 

  1. Shqyrton të gjitha ankesat mbi shkeljet e mundshme të etikës nga anëtarët e KAP-it.
  2. Komiteti përbëhet nga 3 anëtarë.
  1. Anëtarë të këtij komiteti mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues, por drejtuesi i këtij komiteti nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordin Drejtues.

 

  1. Anëtarët e këtij komiteti që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh

 

  1. Komiteti mblidhet sipas nevojës.

 

Neni 19

Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit

 

Komiteti i Standardeve të Trajnimit dhe Certifikimit:

 

  1. Shqyrton standardet profesionale psikoterapeutike dhe kriteret e trajnimeve në fushën e psikoterapisë të ndërmarra nga KAP apo anëtarët organizativë të KAP-it.

 

  1. Shqyrton dhe i propozon Bordit Drejtues aplikimet për pajisjen me CKP të profesionistëve të ndryshëm.

 

  1. Komiteti përbëhet nga 3 anëtarë.

 

  1. Anëtarë të këtij komiteti mund të jenë dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues por drejtuesi i këtij komiteti nuk mund të ketë një pozicion tjetër në Bordit Drejtues.

 

  1. Anëtarët e këtij komiteti që janë në konflikt interesi me çështjen nën shqyrtim, zëvendësohen posaçërisht për shqyrtimin e kësaj/këtyre çështjeje/çështjesh.

 

  1. Komiteti mblidhet sipas nevojës.

 

Neni 20

Konflikti i interesave

 

Çdo anëtar i organit më të lartë vendimmarrës ose ekzekutiv duhet të tërhiqet nga shqyrtimi dhe marrja e vendimit për çdo çështje për të cilën ai ose familjarët e tij kanë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta ekonomike ose vetjake.

 

Neni 21

Ndërprerja e veprimtarisë

 

Shoqata e ndërpret veprimtarinë e saj kur:

  1. Numri i anëtarëve zbret më poshtë se ai i grupit nismëtar të saj;
  2. Vendoset nga Kuvendi i Përgjithshëm i KAP-it.

 

Dispozitat Përfundimtare

 

Neni 22

Likuidimi

 

Në rast të shpërndarjes ose mbylljes së aktivitetit të KAP-it për njërin nga shkaqet e parashikuara me ligj apo në statut, pasuria e mbetur e KAP-it shkon për qëllime bamirësie në favor të përmbushjes së qëllimeve të KAP-it të shprehura në këtë Statut. Në rast se shpërndarja do të vendoset nga vetë KAP-i, likuidimi do të realizohet nga likuidatori, i cili do të caktohet me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm i KAP-it.